Korce

Vlora është një nga qytetet më të bukur të Shqipërisë dhe ka me se të krenohet. E quajtur si “Qyteti i flamurit’’, “qyteti me dy dete” apo “porti jugor i Adriatikut’’ ajo konsiderohet si perla e turizmit shqiptar, me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit. Vlora zë një vend të merituar në historinë e Shqipërisë duke gëzuar edhe statusin e qytetit hero.

 

Qyteti ku u martua Skëndërbeu, ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë, arenë e luftërave për liri dhe qëndresës shqiptare, Vlora ka edhe një status tjetër si atelje natyrore e piktorëve, vatër e artistëve dhe urë lidhëse e Shqipërisë me botën.  Të vizitosh Vlorën, do të thotë t’i japësh vetes privilegjin e të shijuarit ndjesinë më të këndshme e më mbresëlënëse  të shijes së mirë, humorit gjithnjë në nivele të larta dhe natyrës së mrekullueshme. Duke zgjedhur Vlorën për pushimet tuaja, natyrisht që do të bëni një zgjedhje inteligjente por duhet të keni parasysh se Vlora është një qytet magjik që ta bën të vështirë kthimin. E ashpër në dukje, me shkrepa e natyrë të sertë mes detit të trazuar, ajo ka njëkohësisht një zemër të butë, njerëz të dlirë si dielli, ushqim të shëndetshëm e karakteristik e mbi të gjitha një lloj sugjestioni të pashpjegueshëm që të bën për vete me përmbajtjen plot shije. 

Natyra e rrëmbyer e lebërve, është njëkohësisht e nxehtë por edhe mikpritëse, plot dinamizëm e dëshirë për jetën, karakteristika këto me efekte ngjitëse që do t’ju rrëmbejnë edhe juve për të shijuar gjallërisht ditët plot jetë të verës vlonjate. Por mos harroni se Vlora nuk është e bukur vetëm në verë. Përveç atraksioneve të shumta kulturore dhe historike, ju mund të vizitoni në çdo stinë të vitit detin e saj të mrekullueshëm, panoramat e të cilit krijojnë momente të papërsëritshme kënaqësie dhe relaksi.

 

 

Vlora ndodhet në J-P të Shqipërisë përgjatë bregdetit të ulët të Adriatikut dhe atij shkëmbor të Jonit. Me një sipërfaqe prej 1609 km2 dhe një popullsi prej 200 000 banorësh, rrethi i Vlorës kufizohet në veri me Fierin, në lindje me Mallakastrën dhe Tepelenën, ndërsa në jug me Sarandën dhe Gjirokastrën. Në perëndim ujërat e ngrohta të Adriatikut dhe Jonit lagin një vijë të larmishme  bregdetare, ku mund të ndeshësh laguna, gjire, ishuj, gadishuj dhe plazhe të shumtë. Vlora është rrethi ku alternohen midis tyre të gjitha format e relievit, si ai i ulët fushor, kodrinor dhe malor. Relievi përbëhet nga fusha e Myzeqesë së Vlorës , luginat e Dukatit dhe Shushicës, disa masive kodrinore, malësia e Kurveleshit dhe vargmalet Shashicë-Lungarë-Cikë (2045 m), si dhe Gribë-Çipin-Pleshevicë. Hidrografia përfaqsohet nga rrjedha eposhtme e lumit Vjosa, lumi i Vlorës apo i Shushicës, përroi i Dukatit, etj. Pjesë të tjera të hidrografisë së pasur janë edhe dy liqenet detare të Nartës dhe Orikumit, si dhe një sërë përrenjsh malorë.

Klima është tipike mesdhetare me verë të nxehtë dhe të thatë dhe dimër të butë dhe të lagësht, ku gërshetohen ndikimi zbutës i detit në perëndim dhe ai i relievit malor në lindje.Temperaturat mesatare arrijnë në 16o, ku ajo e korrikut dhe janarit kapin shifrat 24 dhe 6 gradë celcius. Klima regjistron 2000 orë rrezatim diellor në vit, ndërsa reshjet bien përgjithësisht në formë shiu dhe pjesërisht në formë dëbore në malet e larta. Sasia maksimale e tyre arrin në shpatet e maleve të larta shifrën 2405 mm.

Qyteti i Vlorës është qendra administrative e Qarkut. Ai shtrihet buzë gjirit detar me të njëjtin emër duke nisur nga pusi i Mezinit në veri dhe deri në Ujin e Ftohtë në jug. Githsej me një sipërfaqe prej 30 km 2 qyteti ka një gjatësi veri-jug prej 19 km dhe gjerësi lindje-perëndim prej 16 km.